Escobar: Kurti refuzoi propozimet, SHBA dhe BE të zhgënjyer me qeverinë e Kosovës

7 months ago 19

I dërguari i posaçëm i SHBA Gabriel Escobar ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka refuzuar propozimet e tij sa i takon çështjes së dinarit serb. Në një intervistë për REL pas takimeve në Prishtinë, Escobar theksoi nevojën për veprime të menjëhershme për qetësimin e situatës.

“Unë i kërkova kryeministrit të pezullojë vendimin ndërkohë që ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave. Tani ne duhet të bëjmë diçka urgjente por fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur kryeministrin për këtë”,  tha Escobar.

Megjithatë Escobar tha se po shpreson për një zgjidhje deri në takimin e radhës të dy kryenegociatorve, Bislimi dhe Petkovic në Bruksel të martën. Më tej zyrtari amerikan shprehu hapur pakënaqësinë ndaj qeverisë së kryeministrin Kurti, dhe tha se një gjë e tillë nuk është vetëm për Uashingtonin.

“Nuk është hera e parë. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë qeverinë e Vetëvendosje-s jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne, ndërsa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve”,  u shpreh Escobar.

I pyetur nëse do të ketë masa nëse Kosova nuk tërhiqet për këtë çështje Escobar u foli për pasoja që sipas tij janë tregues.

“Padyshim ka pasoja. Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës me askënd në administratën amerikane. Ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”,  tha ai.

Diplomati amerikan vlerësoi shumë pozitiv vendimin për manastirin e Deçanit, por tha se janë ende dy kushte të tjera që Kosova duhet të plotësojë për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës, shpronësimet që po bëhen në veri të vendit dhe asociacioni. /vizionplus.tv

Read Entire Article